Juventus shtyn festën e “Scudetto”-s. Pas Championsit

16/05/2017 00:00

Pasi dështoi në formalizimin e titullit kampion në “Serie A” me ndeshjen e humbur në “Olimpico” ndaj Romës, Juventusi do të riprovojë të marrë të dielën atë që ka merituar për të gjithë sezonin.

Në “Juventus Stadium” zbarkon Crotone, një rival modest krahasuar me ambiciet e “Zonjës së vjetër”, por që sërish nuk do të zyrtarizojë festën, edhe nëse vjen rikonfirmimi në fron.

Bardhezinjve do t’u duhet të fitojnë në shtëpi, duke konsideruar suksesin e mundshëm të Romës në Verona ndaj Chievos, por edhe në raste kombinimi të rezultateve nuk do të ketë festim zyrtar për titullin e 33-të. Festa dhe parada në qytet, që ishin programuar, nuk do të zhvillohen për shkak të fokusimit në finalen e Champions League, që është edhe objektivi parësor.

Skuadra torineze, që do të ketë gjithashtu një tjetër pikëtakim me historinë në axhendën e saj, të martën në finalen e Kupës së Italisë, kërkon të mbajë ritmin e programuar për ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, atë që do të luhet në Kardif.

Më 3 qershor, në “Millennium Stadium” do të jetë përballë një rival jo i zakonshëm si Real Madrid, e për këtë çdo shpërqendrim i vogël do të rezultonte fatal. Drejtuesit dhe tifozët shpresojnë se do të festojnë gjithçka në një goditje të vetme: Champions, “Scudetto” dhe Kupën e Italisë.

Top Channel