Falcao e Coentrao, milionerë dhe mashtrues

16/05/2017 00:00

Në futbollin profesionist ka lojtarë të kalibrit të tillë, që fitojnë në pak ditë paratë që një nëpunësi të thjeshtë do t’i duheshin vite, pra miliona në llogaritë bankare.

Por edhe pse të superpaguar, shumë yje të futbollit tentojnë që të fshehin të ardhurat e tyre për të mashtruar organet fiskale, si në rastin e fundit, ku në bankën e të akuzuarve përfundojnë Radamel Falcao dhe Fabio Coentrao.

Seksioni i Krimit Ekonomik në Madrid ka përvijuar hetimet ndaj dy futbollistëve të njohur për periudhën 2012-2014, e sipas dosjes, dy protagonistët janë ngarkuar me 5 akuza. Radamel Falcao, sulmuesi kolumbian që aktivizohej me Atleticon e Madridit, nuk deklaroi 5.6 milionë euro të fituara nga të drejtat e imazhit.

Ndërkohë, mbrojtësi portugez Coentrao, që militon ende në radhët e Realit të Madridit, nga i njëjti burim të ardhurash nuk deklaroi në Tatime 1.3 milionë euro. Sipas Prokurorisë, të dy futbollistët kanë qenë në dijeni të rrezikut, por kanë fshehur milionat në kompani fantazmë në Kolumbi dhe Ishujt Virxhin, konkretisht Falcao, dhe në Irlandë për Coentraon, me shpresën se nuk do të zbuloheshin.

Vitin e kaluar, Prokuroria e Madridit denoncoi 3 ish-lojtarë të Realit me të njëjtat akuza mashtrimi: Xabi Alonso, Angel Di Maria and Ricardo Carvalho. Por objekt i hetimeve dhe gjobave kanë qenë edhe lojtarë të tjerë si Messi, Neymar, Mascherano, Adriano, Alves apo Milito.

Top Channel