Sezon pa tituj, Guardiola pranon dështimin

16/05/2017 00:00

Pep Guardiola pranon dështimin në sezonin e tij të parë te Manchester City.

I ardhur me shumë bujë, trajneri katalanas nuk mundi dot t’i sigurojë titullin skuadrës angleze dhe tani ajo që i mbetet është vetëm të sigurojë përfundimisht pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm. Vetë Guardiola e pranoi këtë dështim në një intervistë për të përditshmen spanjolle “Marca”.

“Pritshmëritë ishin shumë të larta dhe kjo për sukseset që kisha shënuar në të kaluarën”, tha Guardiola. “Me këtë situatë, po të isha në një klub si Barcelona apo Bayern do të isha shkarkuar nga detyra. Janë klube që po nuk fitove brenda 6 muajve, të japin duart. Kurse këtu po më japin një shans të dytë dhe do të mundohem që ta shfrytëzoj në maksimum”.

Guardiola foli edhe për transferimin e James Rodriguez të Manchester United, një lëvizje që për një pjesë të mirë të medias është tashmë fakt i kryer.

“Cilësitë e James Rodriguez nuk mund të vihen në diskutim”, vijoi Guardiola. “Te Reali, ai nuk luan se ka përpara vetes shumë futbollistë të tjerë të mëdhenj. Të gjithë lojtarët e mirë luajnë në çdo kampionat, gjithçka do të varet nga skuadra dhe shokët e tij”.

Top Channel