Regjimi i Assad zhduk trupat e të burgosurve në krematoriume

16/05/2017 00:00

Nga Damasku nuk ka ende asnjë reagim mbi akuzat e Shteteve të Bashkuara se, regjimi i Bashar al-Assadit ka ndërtuar krematoriume për të zhdukur trupat e të burgosurve, që vazhdon të ekzekutojë në burgun famëkeq ushtarak “Sednaya”, pranë kryeqytetit.

Departamenti i Shtetit deklaroi se, çdo ditë rreth 50 të burgosur varen në “Sednaya”. Trupat e tyre më pas digjen për të humbur kështu çdo gjurmë nga vrasjet masive. Diplomati kryesor amerikan për Lindjen e Mesme, Stuart Jones u shpreh se, qeveria siriane “ka kryer një tjetër mëkat” me marrjen e ndihmës ushtarake të Rusisë dhe Iranit, dy vende që kanë mbështetur qeverinë e Assadit në luftën 6-vjeçare kundër grupeve të ndryshme rebele të opozitës.

Gjatë këtyre viteve konflikti janë vrarë rreth 400 mijë njerëz. Akuzat e Jones nuk përfshinë, megjithatë, edhe Moskën. Sipas diplomatit, Departamenti i Shtetit nuk i ka paraqitur fakte që të inkriminonin edhe zyrtarët rusë. Megjithatë, ai shtoi se Uashingtoni është në kontakte të vazhdueshme me Moskën lidhur me problemin që ka krijuar mosdëninimi nga ana e saj i vrasjeve në Siri dhe toleranca e treguar ndaj këtyre krimeve.

“I kemi kërkuar qartazi qeverisë ruse ta konsiderojnë regjimin sirian përgjegjës për të tilla makabritete”, tha Jones. Shefi i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, muajin e kaluar urdhëroi një sulm me raketa në Siri, pas akuzave se regjimi i Damaskut ka përdorur armë kimike ndaj civilëve.

Top Channel