Sulmi kibernetik nga Koreja e Veriut? Dyshime për “Lazarus”

16/05/2017 00:00

Sulmi kibernetik i kësaj fundjave mund të ketë lidhje me Korenë e Veriut. Kjo është teoria më e fortë deri tani mbi përhapjen e virusit “WannaCry”, që preku më shumë se 200 mijë kompjutera në 150 vende të globit.

Dyshimet bien mbi grupin “Lazarus” me bazë në Kinë, por i pajtuar prej koreano-veriorëve. Grupit tejet të sofistikuar i faturohet piratimi dëmtues i “Sony Pictures” në vitin 2014 dhe ai i një banke në Bangladesh në vitin 2016.

Ekspertët e sigurisë tregohen të kujdesshëm, por e konsiderojnë sërish të mundshme përfshirjen e “Lazarus”, pas një zbulimi të bërë nga kërkuesi i “Google”, Neel Mehta.

Ai gjeti ngjashmëri të mëdha mes kodit të diktuar brenda virusit “WannaCry”, “software”-it të përdorur në sulmin e këtyre ditëve, dhe disa programeve të dëmshme të krijuara prej të njëjtit grup në të kaluarën.

“Lazarus është në radarin tonë prej disa kohësh tashmë. Në fillim na tërhoqi vëmendjen kur ndodhi sulmi i ‘Sony’-t. Ata depërtuan praktikisht në të gjithë rrjetet e tij e ndryshuan skedarët duke çuar drejt kolapsit infrastrukturën kompjuterike të kompanisë. Po kështu kanë ndërmarrë sulme të ngjashme ndaj transmetuesve televizivë dhe bankave në Korenë e Jugut. E fundit ishte ndërhyrja në Bangladesh, ku arritën të transferonin me sukses 81 milionë dollarë”, tha Eric Chien, kërkues i “Symantec”.

Specialistët kanë vënë re se, referimet kohore brenda kodit original të “WannaCry” përkojnë me orën e Kinës. Edhe teksti që kërkon pagesën përdor një anglishte të përkthyer automatikisht, por aty shfaqet gjithashtu një segment në gjuhën kineze, i shkruar duket nga një folës i mirë i saj.

Top Channel