Akuza të forta ndaj Trump: Ndau informacione të klasifikuara me Rusinë

16/05/2017 00:00

Shtëpia e Bardhë mohoi njoftimet e medieve amerikane se presidenti Donald Trump u përcolli informacione tepër sekrete zyrtarëve rusë gjatë një bisede në Zyrën Ovale. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Herbert Raymond McMaster e cilësoi absolutisht të rreme raportin e “Washington Post”.

“Asnjëherë nuk u diskutua për burime apo metoda zbulimi dhe presidenti nuk foli për ndonjë operacion ushtarak që nuk ishte i njohur publikisht. Unë isha vet atje. Asgjë e tillë nuk ndodhi. Nuk ka asgjë që presidenti të mos e marrë me më shumë seriozitet, sesa sigurinë e popullit amerikan”, tha H.R. McMaster, këshilltar sigurie, SHBA.

“Presidenti dhe ministri i Jashtëm rus, – vazhdon gjenerali McMaster, – kaluan në revistë një gamë të gjerë kërcënimesh të përbashkëta, përfshirë ato të Aviacionit Civil”.

Në asnjë moment nuk janë diskutuar, sipas tij, metodat e inteligjencës apo të dhënat mbi operacione ushtarake. I pranishëm në takimin e 10 majit me Sergei Lavrov dhe ambasadorin rus, Sergey Kislyak, ishte edhe Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, i cili i mëshon gjithashtu idesë se bisedimet u fokusuan vetëm te përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër terrorizmit.

Por sipas njoftimit të “Washington Post”, të përcjellë më pas edhe nga “New York Times” e media të tjera, informacioni i nxjerrë nga Trump mund të vinte në rrezik një burim zbulimi me rëndësi të madhe lidhur me grupin e Shtetit Islamik, si dhe mënyrën me të cilën ishte siguruar ai informacion.

“Bëhet fjalë për një informacion të koduar”, thotë një zyrtar amerikan i familjarizuar me çështjen, duke iu referuar terminologjisë së niveleve më të larta të klasifikimit të përdorur nga agjencitë amerikane të inteligjencës. “Trump i tregoi ambasadorit rus më shumë nga sa kemi ndarë ne vet me aleatët tanë”, tha ai për “Washington Post”.

“Washington Post” thekson se personi i përfshirë nuk ia kishte dhënë Shteteve të Bashkuara lejen për ta ndarë materialin me Rusinë. Sipas gazetës, fill pas takimit të Trumpit, zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë u përpoqën të frenonin dëmin e bërë, duke i telefonuar menjëherë “CIA”-s dhe Agjencisë së Sigurisë Kombëtare “NSA”.

Top Channel