Kukësi konfirmon kreun; Zona e rënies, shtohen skenarët

15/05/2017 00:00

Kukësi rikonfirmoi kryesimin e Kategorisë Superiore me suksesin 3-1 ndaj Korabit që e çon në kuotën e 72 pikëve, më shumë se çdo rival tjetër në kampionat.

Përballë dibranëve pa asnjë motivim dhe të rënë nga Liga prej javësh, verilindorët u surprizuan kur e panë veten në disavantazh me golin e Kaloshit, por shpejt përmbysën gjithçka.

Bomberi kroat Pero Pejiç tundi 3 herë rrjetën e Korabit duke zhvlerësuar gjithçka shpresonin dibranët, një prej golave të Kukësit erdhi përmes një penalltie.

Ndërkohë në fundin e renditjes janë shtuar skenarët dhe ekipet që rrezikojnë rënien. Laçi fitoi 3-0 ndaj Vllaznisë duke iu larguar përkohësisht vijës së kuqe. Për kurbinasit vlejtën penalltia e Vuçaj dhe golat e Qaqi dhe Mensah.

Në stadiumin e Gjirokastrës u regjistrua barazim mes polemikash 1-1 mes Luftëtarit dhe Teutës.

Për 85 minuta nuk u pa asnjë gol deri kur Ramadani tundi rrjetën me një penallti për vendasit. Por në minutën e 5 shtesë Bangal fiksoi barazimin me një gol për Teutën.

Në fundin e sfidës pati protesta ndaj arbitrit dhe tension mes lojtarëve në fushë, por fatmirësisht u evitua konfrontimi fizik.

Top Channel