Detyra e parë e Macron, emërimi i kryeministrit të ri

15/05/2017 00:00

Emmanuel Macron ka nisur ditën e parë të punës së tij si president, me zgjedhjen e një kryeministri si pika e parë e axhendës së tij.

Emërimi është thelbësor për Macron, i cili duhet të bëjë një performancë të mirë në zgjedhjet parlamentare të muajit të ardhshëm, në mënyrë që të mund të çojë përpara reformat e planifikuara ekonomike.

Më pas, ai do të udhëtojë drejt Gjermanisë për një takim me Kancelaren Angela Merkel. Ky do të jetë thjesht një takim kortezie, me presidentin Macron që ka këndvështrime të forta proeuropiane. Ai ka thënë se do të reformojë Eurozonën, t’i japë asaj një buxhet të përbashkët dhe ministrin e saj të Financave, por për këtë do të ketë nevojë për mbështetjen e Gjermanisë.

Kjo e fundit, nga ana e saj, kërkon të shikojë Francën të kryejë ndryshime strukturore, si reduktimi i shpenzimeve publike dhe reformimi i tregut të saj të ngurtë të punës. 39-vjeçari, ish-bankier dhe ish-ministër Ekonomie, u betua të dielën në një ceremoni në Pallatin “Elysee”.

Ai premtoi të bindë njerëzit se fuqia e Francës nuk është në rënie dhe se vendi është në prag të një rilindjeje të madhe. Deri më tani, Macron e ka mbajtur zgjedhjen e tij për kryeministër një sekret të ruajtur mirë, por siç shkruan BBC, kandidati më i mundshëm është Édouard Philippe, kryebashkiak i Le Havre.

Philippe nuk është një anëtar i partisë së presidentit, “La République En Marche”, por i republikanëve të qendrës së djathtë. Kjo është domethënëse, sepse do të tregonte se Macron po përpiqet të tërheqë në kampin e tij sa më shumë figura kyçe nga opozita konservatore.

Top Channel