Fiton “ATP Madrid Masters”, Nadal përgatitet për “Roland Garros”

15/05/2017 00:00

Rafael Nadal kthehet të jetë “kanibali” i fushave me dhè. Tenisti spanjoll, pasi triumfoi në Monte Carlo dhe Barcelonë, bëri të tijin edhe turneun “Masters” të Madridit, një sukses të cilin e arriti për të pestën herë në 8 finale të luajtura.

Këtë radhë, Nadal arriti të mposhtë talentin austriak Dominic Thiem, me  rezultatin 2-0, në një ndeshje vërtet të luftuar nga të dy tenistët.

Fillimi i përballjes ishte më i mirë për Thiem, që mori kryesimin në 3-1, por Nadal iu kundërpërgjigj duke përmbysur situatën në 4-3, ndërkohë që në rezultatin 5-4 kishte 3 mundësi për të mbyllur setin me shërbimet e Thim.

23-vjeçari nuk lejoi që kjo të ndodhë dhe fituesi i këtij fraksioni u përcaktua nga “tie break”. Edhe në këtë moment rivaliteti ishte i madh, por në fund ishte Nadal ai që e fitoi “tie break” dhe krejt setin 7-6.

Në setin e dytë, Nadal fitoi që në fillim një “game” me shërbimin e Thiem dhe kjo i mjaftoi spanjollit për të fituar ndeshjen, edhe pse në disa momente e pati të vështirë të ruajë turnet e shërbimit të tij.

Gjithsesi, ajo që ka rëndësi për 30-vjeçarin është se arriti të shënojë suksesin e radhës dhe të 72-tin e tij në karrierë, duke u dhënë një mesazh të qartë rivalëve të tij në prag të “Roland Garros”, turneut të dytë “Grand Slam” të vitit.

Top Channel