Java e 34-t e Superiores, përballje delikate

15/05/2017 00:00

Sot luhen ndeshjet e javës së 34-t të Kategorisë Superiore, teksa të gjitha skuadrat janë në garë për objektivat e tyre, përveç Korabit që është i rënë tashmë në Kategorinë e Parë.

Skuadra dibrane do të presë pikërisht Kukësin, që është përfshirë në një garë të fortë me Skënderbeun dhe Partizanin për titullin kampion.

Skuadra verilindore është e favorizuar në këtë përballje dhe suksesi i saj do të shtonte presionin mbi dy rivalet e saj, të cilat do të përballen në sfida mjaft të vështira.

Skënderbeu do të presë Tiranën në Korçë, ndërsa Partizani do të luajë në Vlorë ndaj Flamurtarit, dy skuadra këto që kërkojnë me çdo kusht mbijetesën në Superiore dhe fitoret janë një opsion i detyrueshëm për to.

Nuk janë më pak të rëndësishme as ndeshjet Luftëtari-Teuta dhe Laçi-Vllaznia, të cilat kanë objektiva të dyfishta.

Kjo për faktin se gara nuk është vetëm për të qëndruar në Kategorinë Superiore, por edhe për vendin e katërt, që jep mundësinë për të luajtur në Europa League, gjithnjë nëse Skënderbeu arrin të fitojë ndaj Tiranës në finalen e Kupës së Shqipërisë.

Top Channel