Peniani: Test i suksesshëm i raketës balistike “bërthamore”

15/05/2017 00:00

Raketa e testuar të dielën nga Koreja e Veriut është në gjendje të bartë një kokë me mbushje bërthamore, thuhet në mediet shtetërore të vendit komunist.

Kim Jong-un e mbikëqyri nga afër lëshimin e raketës “Hwasong-12”, e cila mbërriti një lartësi prej mbi 2.100 km dhe fluturoi për 787 kilometra.

Qëllimi i testit, sipas agjencisë “KCNA”, ishte të verifikoheshin veçantitë taktike dhe teknologjike të raketës së re balistike, e cila mund të pajiset me mbushje bërthamore.

Pas kësaj, Peniani u lëshoi Shteteve të Bashkuara një tjetër apel për të mos e provokuar më, duke e bërë të qartë se toka amerikane dhe operacionet e Uashingtonit në oqeanin Paqësor janë që të gjitha brenda rrezes së raketave koreano-veriore.

Ekspertët atje e kanë përshkruar këtë si testin më të suksesshëm raketor të shtetit të izoluar ndërkombëtarisht dhe si një zhvillim të rëndësishëm në përpjekjet e tij për krijimin e një rakete balistike ndërkontinentale, të aftë të mbajë një kokë atomike.

Ushtria koreano-jugore, megjithatë, shprehet se nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur të tilla pretendime.

“Autoritetet koreano-jugore dhe ato amerikane kanë ndarë mes tyre informacione mbi njoftimin e Penianit, duke u fokusuar sidomos te të dhënat e lartësisë dhe distancës së përshkuar në testin balistik. Ne mendojmë se nevojitet një analizë më e thellë mbi vërtetësinë e pretendimeve të Koresë së Veriut në lidhje me një avancim të tillë teknik”, tha Roh Jae-Cheon, shef i çështjeve publike në Shtabin e Përgjithshëm, Seul.

Raketa koreano-veriore raportohet të ketë një trajektore me lartësi të pazakonte nga sipërfaqja e tokës, gjë që dëshmon se mjeti i vënë në provë mund të ketë qenë raketë e re me dy etapa lëshimi, e cila arrin distanca deri në 4.500 km.

Top Channel