Kriza i bllokoi, zgjedhjet lokale në Maqedoni shtyhen në tetor

15/05/2017 00:00

Përfaqësuesit e LSDM-së, BDI-së, Besës, Aleancës për shqiptarët dhe PDSH-së, arritën një marrëveshje kyçe me kreun e Parlamentit maqedonas, Talat Xhaferi, edhe pse takimi u bojkotua nga VMRO-DPMNE-ja.

Ata janë pajtuar me propozimin për të ndryshuar e plotësuar Kodin Zgjedhor. Drafti parashikon mbajtjen e zgjedhjeve lokale në gjysmën e parë të muajit tetor, ndërsa mandati i kryetarëve aktualë të komunave dhe bashkive do të zgjatet deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj të këtyre organizmave.

E hëna e 15 majit shënonte ditën e skadimit të mandatit katërvjeçar për 80 drejtues komunash, 10 nga të cilët përbëjnë qytetin e Shkupit, si njësi e veçantë e pushtetit lokal. Votimet duhej të ishin zhvilluar muajin që shkoi, por për shkak të krizës politike në vend nuk u arrit të shpalleshin në afatin e caktuar.

Ngërçi i krijuar shtyu Xhaferin që të thërriste në takim të hënën përfaqësuesit e grupeve parlamentare. Mosgjetja e një zgjidhjeje do të paralizonte të gjithë pushtetin lokal, me pasoja të rënda për qytetarët.

Zyrtarët shpjeguan më herët se, mijëra të punësuar nuk do të merrnin dot pagat, nuk do të jepeshin leje ndërtimi e nuk do të funksiononin shërbimet nëpër komuna, e as transporti publik.

Zgjidhja e problemit ishte kërkuar në ndryshimin e ligjit për zgjedhjet me anulimin apo ndryshimin e dy neneve që kufizojnë mandatin e kryetarëve të komunave. Një zgjidhje e tillë ishte pretenduar edhe prej Gjykatës Kushtetuese, por përgjigjja e saj ka qenë negative, me arsyetimin se nuk ka kompetencën të miratojë vendime të tilla, për të cilat duhet të prononcohet institucioni ligjvënës.

Top Channel