Londra makth për Manchester United

14/05/2017 00:00

Londra kthehet në një makth për Manchester United, në këtë sezon, pasi ka humbur të tre përballjet e luajtura në këtë qytet, ndaj Chelsea, Arsenal dhe sot ndaj Tottenham.

“Djajtë e kuq”, u mposhtën me rezultatin 2-1 ndaj vendasve, duke humbur edhe mundësinë pëër të siguruar një vend në Champions, nëpërmjet renditjes në Premiere League.

Edhe në këtë takim, Mourinho preferoi të mos aktivizojë nga fillimi, tre nga futbollistët kryesorë të Manchesterit të tij, Herrera, Mkhitarian dhe Rashford.

Tottenham kaloi në epërsi që në minutën e gjashtë, me një gol të shënuar nga mesfushori Wanyama., ndërsa në fillim të pjesës së dytë, dyfishoi rezultatin me anë të sulmuesit kryesor, Harry Kane.

“Djajtë e kuq” arritën të ngushtojnë diferencën në minutën e 71 me anë të kapitenit Rooney, i cili shënoi pas një pasimi të Martial. Minutat e mbetura nuk sollën asnjë ndryshim, pavarsisht tentativave dhe rasteve të krijuara nga të dy ekipet.

Tani Manchester ka edhe një arsye më tepër për të pretenduar fitoren e Europa League, pasi krahas trofeut, fitojnë edhe të drejtën e pjesëmarrjes në edicionin e ardhshëm të Champions League.

Top Channel