Paris, optimizëm për Lojërat Olimpike 2024

14/05/2017 00:00

Ideatorët dhe mbështetësit kryesorë të idesë për të organizuar Lojërat Olimpike në Paris, në vitin 2024, ritheksuan optimizmin e tyre për triumfin e kandidaturës transalpine, si diçka unike mbi rivalët.

Një delegacion i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar zbarkoi nën Kullën “Eiffel” për një vizitë treditore, ku do të inspektojë nga afër të gjitha ambientet sportive dhe infrastrukturën, para se të japë raportin e tij për qytetin.

I njëjti delegacion ishte më parë në Los Angeles, qyteti tjetër i vetëm në garë, që mund të rrëzojë kandidaturën pariziene për Lojërat Olimpike pas 7 vitesh. Qyteti i “Engjëjve” ka organizuar 3 herë më parë një aktivitet të tillë dhe ka po aq mundësi sa Parisi për të triumfuar, edhe pse në Francë janë optimistë.

“Mendoj se kjo është koha e duhur për të fituar me kandidaturën tonë. Kemi energji dhe një ekip fantastik që ka punuar shumë në dy vitet e fundit për këto lojëra”, tha kryebashkiakja e Parisit, An Hidalgo.

Hera e fundit që Parisi ka organizuar një olimpiadë ka qenë viti i largët 1924. Fituesi do të zyrtarizohet në 13 shtator, në kongresin e IOC-së në Lima të Perusë.

Top Channel