FBI, Trump premton emërim të shpejtë të kreut të ri

14/05/2017 00:00

Presidenti amerikan Donald Trump tha se mund të lajmërojë emrin e drejtorit të ri të FBI-së, atë që do të zëvendësojë të shkarkuarin James Comey, që javën e ardhshme.

Para reporterëve, Trump deklaroi se mund të thotë një emër deri të premten, para se të niset për udhëtimin e tij të parë jashtë vendit.

Avokatja Alice Fisher ishte kandidatja e parë që u intervistua në Departamentin e Drejtësisë për postin e kreut të FBI-së. Kandidatë të tjerë janë drejtori në detyrë i FBI-së, Andrew McCabe, gjykatësi i Apeleve të Nju Jorkut, Michael Garcia, dhe senatori republikan John Cornyn, të cilët gjithashtu u takuan me kryeprokurorin e Përgjithshëm, Jeff Sessions.

Mediet amerikane raportojnë se 11 persona po konsiderohen për këtë pozicion, i cili kërkon edhe konfirmimin e Senatit. Presidenti Trump mori shumë kritika për shkarkimin e James Comey, që po hetonte ndërhyrjen e pretenduar ruse në zgjedhjet amerikane.

Ndaj presidenti, jo vetëm që duhet të nxitojë për të emëruar shefin e ri të FBI-së, por edhe kandidati i zgjedhur prej tij duhet të jetë një emër që të mos ngjallë kundërshtime dhe të bashkojë palët. Sipas Trump, nuk ka arsye pse procesi të zgjasë, pasi kandidatët janë mjaft të njohur dhe kanë qenë nën “vetting” gjatë të gjithë jetës së tyre.

Top Channel