Revolucioni i Guardiolës, Man. City nis spastrimet

14/05/2017 00:00

Ende pa mbaruar sezoni, Manchester City ka nisur që të zyrtarizojë lojtarët e parë që do të largojë nga organika e tij e mbingarkuar, në një revolucion të kësaj vere që trajneri, përmes të cilit Pep Guardiola synon të përgatisë terrenin për titull.

Pablo Zabaleta u konfirmua se do të largohet nga “Etihad Stadium”, pas 9 vitesh nga ardhja e tij prej Espanyolit.

“Largohet pas 332 ndeshjesh dhe shumë kujtimeve pozitive, që prej blerjes 6.5 milionë paund. Zabaleta firmosi me klubin një ditë para se ta blinte sheiku Mansour dhe vetëm Joe Hart e Kompany kanë qenë më shumë se ai në ekipin tonë”, thuhet në njoftimin e “Citizens”.

Kjo lëvizje do të pasojë me të gjitha gjasat ndryshime rrënjësore për ekipin e Pep Guardiolës, pas sezonit të parë në karrierën e trajnerit spanjoll pa asnjë trofe. Pesë lojtarë të tjerë do të largohen në javët në vijim: Jesus Navas, Willy Caballero, Gael Clichy, Bacary Sagna dhe Yaya Toure, që janë në fundin e kontratës.

Por jo vetëm kaq, pasi Joe Hart, Mangala, Bony, Nasri dhe Denayer, me të gjitha gjasat nuk do të veshin më fanellën e Manchester City.

Top Channel