Atalanta e Berisha në Europa League, festë në Bergamo

14/05/2017 00:00

Atalanta u rikthye në kupat europiane pas plot 26 vitesh, duke ndezur në rrugët e qytetit të Bergamos një festë, e cila zgjati deri në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele.

Skuadra zikaltër, e cila para më shumë se dy dekadash e gjysmë ishte protagoniste në Kupën UEFA, tani fiton me meritë një vend në Europa League, një objektiv i paimagjinueshëm në verë, por i bërë realitet nga golat e talenteve në sulm dhe pritjet fantastike të Etrit Berishës.

Portieri i kombëtares shqiptare pësoi një gol që befasoi mbrojtjen dhe vet gardianin e vendasve në përballjen me Milanin, por kjo nuk e hoqi gëzimin e ligjshëm të tifozëve në rrugë.

Arkitekti kryesor i kësaj arritjeje të bukur në futbollin italian ishte trajneri Gian Piero Gasperini.

“E rëndësishme ishte të arrinim rezultat pozitiv edhe pse ka pak zhgënjim për golin e pësuar ndaj Milanit. Na duhet tashmë vetëm një pikë për të evituar turin kualifikues të Europa League dhe për të luajtur drejtpërdrejt në fazën e grupeve, por duhet të them se ishte një sezon i vështirë për t’u përshkruar. Atalanta është një shembull për klubet që nuk kanë burime të mëdha ekonomike”, tha trajneri Gasperini.

Top Channel