Francë, Macron betohet si president

14/05/2017 00:00

Presidenti Emmanuel Macron është betuar këtë të dielë në pallatin “Elysee”, çelësat e të cilit ia dorëzoi ish-presidenti François Hollande, mes masave tejet të përforcuara të sigurisë anembanë Parisit. Kandidati i pavarur Macron fitoi bindshëm në balotazhin e fundjavës së kaluar, përballë rivales së tij nga ekstremi i djathtë, Marine Le Pen.

Në fjalimin e tij pas ceremonisë së betimit, Presidenti Macron tha se do të rivendosë pozitat globale të Francës.

“Franca do të jetë e fuqishme vetëm nëse është e suksesshme dhe e begatë. Franca do të jetë një model për botën, vetëm nëse është shembull karakteristik”, deklaroi Macron. “Ne duhet t’u kthejmë francezëve shijen për të ardhmen dhe krenarinë për atë që francezët janë. E gjithë bota do t’i kushtojë vëmendje asaj që mendon e thotë Franca, sepse ne të gjithë së bashku do të shkojmë përtej frikës dhe ankthit. Së bashku do të jemi shembull i një populli që di të afirmojë vlerat dhe parimet e tyre, ato të demokracisë dhe republikës”.

Duke e hapur bisedën me termin “rilindje”, Presidenti i ri francez tha se bota ka nevojë për atë që Franca u ka mësuar gjithmonë. Për dekada të tëra, Franca ka dyshuar mbi vetveten. Por bota dhe Europa kanë nevojë më shumë se kurrë për Francën. Mandati im do t’u rikthejë francezëve ndërgjegjësimin për të besuar në atë që janë”.

Ai mbërriti rreth orës 10 të mëngjesit në pallatin presidencial, ku u takua fillimisht me ish-presidentin Hollande. Ish-bankieri i investimeve nuk kishte garuar asnjëherë për një post zyrtar përmes zgjedhjeve, ndërsa lëvizjen e tij politike të qendrës e formoi vetëm një vit më parë. Qindra forca shtesë policore ishin në patrullim rrugëve të kryeqytetit francez, gjatë kohës që zhvillohej ceremonia në Pallatin “Elysee”, rezidenca zyrtare presidenciale.

Franca ndodhet në gjendje emergjence që prej sulmeve terroriste të vitit 2015, ndaj dhe një pjesë e madhe e qendrës së qytetit ishte e bllokuar për trafikun gjatë të gjithë paradites. Pas dorëzimit të pushtetit pason inspektimi i trupave ushtarake, që do të shoqërohet me 21 të shtëna përshëndetëse. Macron pritet të vizitojë më pas Harkun e Triumfit dhe të vendosë kurora me lule në varrin e ushtarit të panjohur.

Macron do të jetë presidenti më i ri i Francës në moshën 39-vjeçare, që prej kurorëzimit të Napoleon Bonaparte si perandor në vitin 1804, si dhe i pari që prej themelimit të Republikës së Pestë franceze nga presidenti Charles de Gaulle, në 1958-n. Lëvizja e tij politike “En Marche” u formua vitin e kaluar, ndërsa si parti e re “La Republique En Marche” do të dorëzojë listat e kandidatëve për deputetë për Asamblenë 577-vendëshe të Francës në zgjedhjet parlamentare të muajit qershor.

Ai ka premtuar se do të “punojë për të gjithë” dhe thotë se programi i tij do të shërbejë për të majtë e të djathtë. Java e parë e Macronit në detyrë do të jetë e ngarkuar. Ai do të niset për në Berlin të hënën për t’u takuar me Kancelaren Angela Merkel, si dhe për të treguar angazhimin e tij ndaj Bashkimit Europian. Ai pritet gjithashtu të emërojë një kryeministër të vendit.

Macron përballet me disa sfida të rëndësishme, përfshi papunësinë e lartë veçanërisht mes të rinjve në Francë, si dhe rritjen ekonomike tejet të ulët. Synimet e tij janë të forcojë investimet dhe të krijojë një model të ri rritjeje ekonomike, që do të rrisë mirëqenien dhe mbrojë mjedisin.

Top Channel