Sulmi kibernetik, Europol: Shkallë e paprecedentë. Hetim ndërkombëtar

13/05/2017 00:00

Sulmi kibernetik që goditi organizata në mbarë botën ka qenë në një shkallë të paprecedentë.

Kështu ka deklaruar agjencia policore europiane Europol, që ka bërë thirrje për një hetim të detajuar ndërkombëtar, me qëllim identifikimin e fajtorëve.

Në të paktën 75 mijë kompjutera në 99 vende të botës mbërritën kërkesa për pagesë në këmbim të lejimit të aksesit dhe riparimit të shërbimeve.

Vende europiane, por edhe Rusia, ishin ndër më keq të prekurat. Edhe pse përhapja e virusit, i njohur si “Dua të qaj” dhe variante të tjera me këto fjalë, duket se është ngadalësuar, kërcënimi nuk ka kaluar ende.

Europol deklaron se njësia kundër krimit elektronik EC3 po punon ngushtë me vendet e prekura, me qëllim reduktimin e kërcënimit dhe asistimin e tyre.

Në Britani, të paktën 48 institucione të kujdesit shëndetësor u prekën nga sulmi që nisi ditën e premte. Deri tani, vetëm 6 prej tyre janë kthyer në normalitet.

Ndërsa në Rusi janë prekur përkohësisht hekurudhat dhe institucionet bankare. Në Gjermani, operatori federal hekurudhor u çorodit, ndërsa në Francë, prodhuesi i automjeteve “Renault” u detyrua të ndalë prodhimin në disa fabrika të tij.

Në Spanjë, kompani si Telefonica dhe Gas Natural u prekën nga sulmi. Në SHBA, viktimë ra kompania postare FedEx. Ndërsa në Kinë, Indonezi dhe Korenë e Jugut shkollat dhe spitalet.

Ndërkohë, NATO ka deklaruar se i ka shpëtuar këtij agresioni. “Nuk kemi prova që të jenë sulmuar sistemet tona”, dekalroi sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg.

Ai bëri me dije se, një ditë më parë Aleanca njoftoi aleatët përmes kanaleve të saj të komunikimit për intensifikimin e sulmit.

Top Channel