FBI, zëvendësuesi i Comey brenda javës së ardhshme

13/04/2017 00:00

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se mund të emërojë drejtorin e ri të FBI-së nga fundi i javës së ardhshme.

Ai u tha gazetarëve se kjo gjë mund të ndodhë ditën e premte, përpara se ai të niset për një tur jashtë shtetit.

Mediat amerikane bëjnë të ditur se avokatja Alice Fisher ishte kandidatura e parë që u intervistua në Departamentin e Drejtësisë.

Ndërkohë, drejtori në detyrë i FBI-së, Andrew McCabe dhe dy zyrtarë të tjerë pritet të takohen me prokurorin e përgjithshëm Jeff Sessions dhe zëvendësin e tij në orët në vazhdim.

Në tërësi janë rreth 11 persona emrat e të cilëve po shqyrtohen për pozicionin e kreut të agjencisë federale hetimore më të famshme në botë, që në fund duhet të marrë miratimin e Senatit.

Presidenti Trump është përballur me kritika për shkarkimin nga detyra të James Comey, i cili po hetonte ndërhyrjen e dyshuar ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Ai u tha gazetarëve që po udhëtonin me të në “Air Force One” se dëshironte të vepronte shpejt me zgjedhjen e drejtorit të ri. Ai tha se, kandidatët që po shqyrtohen janë “njerëz të jashtëzakonshëm” dhe “shumë të njohur”.

Ndërkohë, “Fox News” citoi një burim qeveritar të thoshte se, në këtë drejtim po lëvizet me shpejtësi. “Po bëjmë detyrën tonë me kujdes. Nuk do të lëmë jashtë asnjë kandidat”, tha burimi.

Top Channel