Aksident tragjik në Turqi, 20 turistë të vdekur

13/05/2017 00:00

Rrëzimi i një mikrobusi me turistë turq nga një majë e thepisur në Marmaris i ka kushtuar jetën 20 personave, ndërsa 11 të tjerë janë plagosur rëndë. Mjeti ishte nisur për një udhëtim një ditor drejt Marmarisit nga Buca e provincës perëndimore të Izmirit, kur drejtuesi humbi kontrollin e furgonit.

17 persona vdiqën në vend, ndërsa tre të tjerë ndërruan jetë gjatë rrugës për në spital. Autoritetet lokale thonë se shumica e viktimave ishin gra e fëmijë.

Mikrobusi ka qenë i mbushur me turistë vendas dhe nuk kishte të huaj. Shkaqet e aksidentit janë duke u hetuar nga forcat e policisë, të cilat po shohin si pistë të parë mundësinë e një mosfunksionimi të frenave.

Vendi ku ndodhi aksidenti, Sakar Pass, është një zonë e njohur për rrezikshmërinë e lartë. Mikrobusi ka dalë nga rruga pikërisht në pjesën ku ndodhet kthesa më e forte e saj. Në këtë nyje që lidh Marmaris, Dalamanin dhe Fetije-ne me provincën Mugla, ndodhin çdo vit aksidente rrugore.

Më e rënduar situata paraqitet gjatë verës, kur regjistrohen vazhdimisht episode të tilla pavarësisht ndërhyrjeve të përsëritura me qëllim përmirësimin e cilësisë së rrugës.

Top Channel