Basha themelon “Republikën”: Zgjedhjet të ndershme me qeveri teknike

13/05/2017 00:00

Prania e dy vajzave të Lulzim Bashës në protestën e opozitës paralajmëroi natyrën paqësore, në të cilën Lulzim Basha do të shpallte atë që e quan prej kohësh “Republika e re”.  Mitingun me mbështetësit e vet, i dyti, që kur opozita ngriti çadrën përpara Kryeministrisë, Lulzim Basha e cilësoi si referendumin për “Republikën e re”.

“Falë bashkimit tonë, falë qendresës tuaj, me ndihmën e Zotit gjithçka do të ndryshojë, asgjë nuk do të jetë më si më parë. Ne shqiptarët e bashkuar nuk e pranojmë, nuk e njohim dhe nuk do ta njohim më republikën e vjetër të krimit dhe drogës. Dhe ja tek ka ardhur kjo ditë e bekuar. Le ta shpallim sot njëzëri, Republikën e Re”, tha kreu i opozitës.

Lëvizja e shpallur nga kreu i opozitës ka në themel kërkesën për zgjedhje të lira e të ndershme. 

“Koha e monizmit shkoi një herë e përgjithmonë. Ne as nuk do të lejojmë, as nuk do pranojmë kurrë rikthimin e monizmit dhe zgjedhjet pa opozitën t’i harrojë republika e vjetër e çdokush që qëndron pas saj. Do të ketë vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme me një qeveri teknike që nxjerr jashtë kriminelët, që lufton drogën dhe u kthen shqiptarëve besimin dhe garancinë te vota e tyre e lirë”, u shpreh Basha.

Kreu i opozitës e përsëriti këtë qëndrim, edhe pse ai u cilësua së fundmi si i papranueshëm nga Komisioneri për Zgjerimin dhe nuk përkrahet nga faktorë dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë, si dhe nga disa eksponentë demokratë që besojnë se kjo rrugë rrezikon ekzistencën e Partisë Demokratike. 

“Historia na tregon se askush nuk dobësohet dhe as nuk bie nga lufta për kauzat e drejta. Në asnjë vend të Europës nuk luftohet më fort për Europën se në këtë shesh të lirisë, Ne jemi mbledhur së bashku sot për një vendim të madh. Për të vetmin vendim që e çon Shqipërinë në Europë, për të vetmin vendim që rikthen fatet e qytetarëve, fatet tuaja në duart tuaja. Ne jemi këtu që përmes republikës së re t’ju kthejmë shqiptarëve atë që është e shqiptarëve”, tha Lulzim Basha.

Ajo që Lulzim Basha e quan “Republikë të re” ngjan më programin elektoral ekonomik të Partisë Demokratike, e cila premton taksa të ulëta dhe paga e pensione më të larta.

“Me 9 % taksën e sheshtë ne do t’i japim frymëmarrje sipërmarrjes shqiptare, do të injektojmë 1 miliardë euro në ekonominë kombëtare, do të ndezim motorët e saj për të çliruar energji pozitive, e do të krijojë mijëra vende pune, e do të përmirësojmë jetën e shqiptarëve, e do të rrisë rrogat dhe fuqinë blerëse të tyre”, tha Basha.

Pjesë e rëndësishme e programit të Partisë Demokratike është edhe arsimi, por përveç anulimit të ligjit për arsimit e lartë, fokus kryesor ka zënë arsimi parauniversitar.

“Me dyfishimin e korpusit të mësuesve, me rritjen e rrogave të tyre, do të mundësojmë për çdo fëmijë shqiptar, nga mosha 5 deri në 18 vjeç, të kenë drekën falas në shkollat e Republikës së Re, me orarin nga ora 08:00 deri në orën 16:00 duke përfshirë bërjen e detyrave të shtëpisë, aktiviteteve sportive”, u shpreh Basha.

Lulzim Basha e di se me lëvizjen për “Republikën e re” ka bërë tashmë kritikë dhe kundërshtarë, por për sa kohë, siç thotë, shqiptarët janë të bashkuar, asgjë tjetër për të nuk ka rëndësi.

“A jeni gati të qëndrojmë të bashkuar? E të bashkohemi përsëri këtu në këtë shesh derisa Republika e Re të jetë realiteti institucional, kushtetues dhe qytetar me zgjedhjet e lira dhe të ndershme që po vijnë. A jeni gati ta vazhdojmë këtë betejë? Ju kërkoj vetëm qëndresë dhe bashkim dhe Zoti do ju bekojë e do të na bekojë me fitore”, tha Basha.

Deri në fitore, Lulzim Basha parashikon edhe një takim të tretë me protestuesit. Por ende nuk dihet sa e largët është kjo ditë.  

“Për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të vetmet zgjedhje që Shqipëria do të ketë, për Republikën e Re të qytetarëve shqiptarë, kështu sot siç u mblodhëm sot në këtë referendum, të jemi gati për të tretën, të vërtetën, marshimin tonë final”, tha ai.

Kreu i opozitës e përmendi disa herë Zotin gjatë fjalimit të tij, madje edhe protestuesit i trajtoi si dishepuj të “Republikës së re”.

“Me gëzim dhe paqe në zemrat tuaja, kthehuni në shtëpitë tuaja në Tiranë, në qytete dhe fshatra nga keni ardhur.
Rrëfeni të vërtetën tuaj, vendimin tuaj për Republikën e Re dhe bëhuni gati për marshimin final”, u shpreh kreu i opozitës.

Top Channel