Jemen, “quiz”-e nga Al Qaeda…për një kallashnikov

12/05/2017 00:00

“Al Qaeda” po tenton që të rekrutojë anëtarë të rinj në Jemen përmes “quiz”-eve, ku çmimi kryesor është një armë automatike “AK47”, i mirënjohur si kallashnikov.

Militantët e “Al Qaeda”-s janë parë sidomos në qytetin jugperëndimor Taiz, ndërsa vendi përgatitet për muajin e shenjtë të Ramazanit, ku kanë vendosur postera për të reklamuar garën me “quiz”-e.

Banorët tregojnë për mediet se, “quiz”-et janë fletë me pyetje që shpërndahen nga militantët e “Al Qaeda”-s. Shumica e pyetjeve përqëndrohen në interpretimin ekstrem të Islamit nga “Al Qaeda”.

“Përmend 3 nene të Kushtetutës së Jemenit që shkelin ligjin islamik”, ishte një prej pyetjeve sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”.

Pyetja tjetër kërkonte listimin e 3 referencave nga shkrimet e shenjta, që justifikojnë vrasjen e të pabesëve që nuk ndjekin ligjin islamik.

Çmimi i parë, pra për atë që i përgjigjej më shumë pyetjeve, ishte një kallashnikov; çmimi i dytë, një motoçikletë; ndërsa çmimi i tretë, një laptop.

Mes çmimeve të tjera përfshiheshin një pistoletë dhe shuma parash deri në 80 dollarë. Sipas “Reuters”, mbi fletët e provimit islamik nuk ka adresë se ku duhet dorëzuar, por banorët e Taizit thanë se zyrat dhe xhamitë e “Al Qaeda”-s në qytet njihen mjaft mirë.

Top Channel