Austri, ministri i Jashtëm: Të shkojmë në zgjedhje të parakohshme

12/05/2017 00:00

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz ka kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Nuk është e drejtë të vazhdohet me një fushatë elektorale të përhershme, ndaj është më mirë të kthehemi në votime”, ka deklaruar Kurz.

Sa i takon udhëheqjes së partisë popullore OEVP, ministri 30-vjeçar nuk i ka fshehur rezervat e tij.

“Një gjë është e sigurtë, kështu nuk mund të vazhdojmë. Partia duhet të hapë dyert për më të aftët, duke filluar nga ata për të cilët lëshon teserën”, ka thënë Kurz.

Thirrja e Kurz vjen pak ditë pasi zv.kancelari austriak Reinhold Mitterlehner dha dorëheqjen nga posti, me argumentin se do të fokusohej në udhëheqjen e partisë popullore.

Në konferencën për shtyp, Kurz hodhi poshtë propozimin e social-demokratëve për një freskim të kabinetit qeveritar.

“Është e kotë të zëvendësosh disa fytyra dhe të shtiresh sikur nuk ka ndodhur asgjë. Pas pak javësh do të jemi sërish në pikën e nisjes, duke vazhduar me fushatën elektorale”, tha Kurz.

Ai theksoi se, vendimi për të ardhmen e vendit u takon votuesve. “Ndaj, fjala duhet t’u kalojë atyre”, u shpreh ai.

Top Channel