Sevilla, kundërshtari i fundit në “Bernabeu”. Vendimtare për titullin

12/05/2017 00:00

Në ndeshjen e fundit para publikut vendas, Reali i Madridit do të kërkojë të mos gabojë, në një hap që mund të rezultojë vendimtar për titullin.

Të dielën, në tempullin e “galaktikëve” zbarkon Sevilla. Kryeqytetasit, me një sy te Barcelona që luan në të njëjtën orë me Las Palmas, do të kërkojnë të paktën të mbajnë bashkëkryesimin me katalanasit.

Uellsiani Gareth Bale është ende i dëmtuar dhe do të mungojë, së bashku me Carvajal. Por trajneri Zidane do të hedhë në fushë formacionin më të mirë, që përfshin dhe Cristiano Ronaldon, emblema e Realit që mungoi në dy përballjet e fundit në La Liga.

Portugezi do të ketë mbështetjen e James Rodriguez, falë formës fantastike që po kalon kolumbiani, me 5 gola në 4 sfidat e fundit të “Los Blancos”.

Në një formacion hipotetik, ndaj andaluzianëve, skuadra “merengues” do të ketë gjithashtu Morata dhe Asensio në repartin sulmues. Për Realin nuk janë programuar më ndeshje të tjera jashtë kampionatit, deri në finalen e madhe të Championsit, më 3 qershor. Pas përballjes me Sevillan, kryeqytetasit do të luajnë në mesjavë kundër Celta Vigo.

Skuadra e Zinedine Zidane ka në dispozicion një ndeshje më shumë sesa Barcelona, ekip me të cilin ka kuotë të njëjtë pikësh, por golavarazh më të keq.

Top Channel