Trump kërcënon Comey: Bën mirë të mos ketë regjistrim të bisedave tona

12/05/2017 00:00

Bën mirë të mos ketë ndonjë regjistrim të bisedave tona. Pas shkarkimit, për ish-shefin e FBI-së vjen një paralajmërim: Donald Trump u tregua mjaft i qartë në mesazhin e tij në “Twitter”, ku shprehej hapur kundër rrjedhjes së ndonjë materiali në media.

“James Comey bën mirë të shpresojë që të mos ketë ‘ndonjë’ regjistrim të bisedave tona, përpara se të nisë e të flasë me shtypin”, tha Trump.

Mesazhi i kreut të Shtëpisë së Bardhë përbën një zhvillim të ri e të papritur në armiqësinë me Comey dhe pezullimin e tij, gjë që i solli Trumpit edhe krahasimet me Richard Nixon.

Presidenti, më herët këmbënguli se nuk ishte nën hetim nga FBI-ja. Në intervistën e dhënë rrjetit televiziv amerikan “NBC”, ai sqaroi se do ta kishte shkarkuar kreun e Byrosë Federale të Hetimit, James Comey, edhe pa rekomandimin e zyrtarëve të Departamentit të Drejtësisë.

Ish-kreu i FBI-së po drejtonte një hetim mbi lidhjet mes zyrtarëve të fushatës zgjedhore të presidentit Trump dhe zyrtarëve rusë, së bashku me ndërhyrjen e mundshme të Moskës në presidencialet e vitit të kaluar.

“E kisha ndërmend ta pushoja vet Comey. Do ta hiqja, pavarësisht rekomandimit të zëvendësprokurorit të Përgjithshëm, Rod Rosenstein”, tha Trump.

Shefin e FBI-së, Comey, e kam pyetur personalisht nëse jam nën hetim dhe më është përgjigjur “Jo”, vazhdoi Trump. Verifikimet e FBI-së, presidenti i konsideron një “farsë”, por pretendimet e tij janë kundërshtuar edhe nga drejtuesi i përkohshëm i saj, Andrew McCabe.

Shkarkimi i Comey përbën pikën kulmore të një marrëdhënieje të tensionuar njëvjeçare mes tij me Donald Trump. Armiqësia mes tyre nisi që gjatë fushatës, kur shefi i FBI-së refuzoi të ngrinte akuza ndaj rivales së republikanit, Hillary Clinton, për “e-mail”-et e dërguara nga serveri i saj privat gjatë kohës që shërbente si Sekretare Shteti.

Top Channel