“Football Leaks”, në shënjestër Balotelli, Tevez…

12/05/2017 00:00

“Football Leaks” godet sërish, e këtë radhë në shënjestrën e tij ka përfunduar Mario Balotelli. Në librin e publikuar së fundmi nga gazetarët e “Der Spiegel” flitet për një bonus të çuditshëm të përfituar nga sulmuesi i Nicës.

Mësohet se Balotelli ka mundur të sigurojë 1.3 milionë euro, për faktin se në këtë sezon ai nuk e ka arritur numrin 3 të kartonave të kuq të marrë gjatë ndeshjeve.

Por Balotelli nuk është i vetmi që përmendet nga “Football Leaks”. Në këtë libër janë publikuar edhe shpërblimet e përfituara nga Carlos Tevez e Bastian Schweinsteiger.

Kështu, Tevez ka të garantuar në kontratën me Shanghain 38 milionë euro në sezon, e nëse ai do të luajë 70% të ndeshjeve do të përfitojë edhe 950 mijë euro të tjera. Të njëjtën shifër, ai do ta marrë nëse Shanghai fiton kampionatin. Plot 1.9 milionë euro do t’i sigurojë në rast fitoreje të Championsit të Azisë, ndërsa 460 mijë euro i janë rezervuar nëse shpallet golashënuesi më i mirë në kampionatin kinez.

Përsa i përket Schweinsteiger, “Footbal Leaks” zbuloi misterin që e rrethonte për mospërfshirjen në ekip nga Mourinho, kur ishte pjesë e Manchester United. Në atë kohë, mesfushori gjerman nuk bëri asnjë kritikë për zgjedhjet e portugezit dhe arsyeja është se, nëse do ta bënte një gjë të tillë, atëherë do t’i shkurtohej paga.

Por pavarësisht kësaj, kampioni i botës nuk kishte motiv që të ankohej, edhe për faktin se “Djajtë e kuq” e kanë kompensuar për punën e bërë me 12.53 milionë paund.

Top Channel