“Kujdes! Po rrethoheni nga gati 15 peshkaqenë të mëdhenj të bardhë. Duhet të dilni sa më shpejt nga uji, por duke e ruajtur qetësinë”.

Rojet Bregdetare në plazhin Capistrano të Kalifornisë i kanë kërkuar me altoparlantë sërfistëve të zonës të largoheshin me urgjencë, nga vendi ku peshkaqenët ishin afruar rrezikshëm. Por zor se mund të ruhet qetësia përballë një njoftimi të tillë.

Helikopterët e forcave të rendit e kanë filmuar nga lart grupin e grabitqarëve të pamërshirshëm. Stafi i Departamentit lokal të Sigurisë dëgjohet në filmim, duke thënë sesi njëri prej peshkaqenëve ishte gati 3 metra i gjatë.

Peshqit e mëdhenj mishngrënës u pikasën në afërsi të vendit të njohur si “Dana Point”, pranë të cilit një grua u kafshua muajin e kaluar po prej një peshkaqeni. Autoritetet kanë paralajmëruar mbi rrezikun që paraqet kjo zonë, ku ka pasur disa herë raportime për shfaqjen e peshkaqenëve.

Në disa raste, njerëzit i kanë parë që nga bregu. Sipas ekspertëve të jetës nënujore, ujërat e ngrohtë të Kalifornisë dhe rezervat e bollshme ushqimore shërbejnë si magnet për grabitqarët tmerrues, duke i afruar deri në vijën e bregdetit.

Top Channel