F1, në Spanjë nisen me shenjën e Mercedes

12/05/2017 00:00

Fundjava e Çmimit të Madh të Spanjës në Formula 1 ka nisur nën shenjën e Hamilton dhe Mercedes.

Një nisje e shkëlqyer për ‘shigjetat e argjenda’ në Catalunya të Spanjës, me të dy pilotët e saj që kanë vendosur kohët më të mira në sesionin e parë të provave të lira të kësaj fundjave. Hamilton e ndali kronometrin në kohën 1’21.521, ndërkohë me vetëm 19 të mijëtat më ngadalë kohën e dytë e realizoi Valtteri Bottas.

Koha e tretë më e mirë e këtij sesioni të parë ishte e finlandezit të Ferrarit Kimi Raikkonen, 1’22.456. Nuk arriti një kohë nën 1.22 as ferraristi tjetër, kryesues u botërorit, Sebastian Vettel, që në këtë sesion ishte më shumë se 1 sekondë më ngadalë se pilotët e Mercedes.

Verstappen e Ricciardo ndanë vendin e 5 dhe 6, ndërkohë që shumë impresionuese ishte paraqitja e makinave Haas në këtë sesion të parë të provave të lira të Spanjës.

Top Channel