Videoja e “Fiks Fare”, FSHF dënon tentativën për manipulim

12/05/2017 00:00

Videoja e publikuar nga emisioni “Fiks Fare”, ku shfaqej një bisedë e menaxherit të futbollistëve Drini Çaushi me Emiljano Vilën, duke tentuar manipulimin e sfidës mes Partizanit dhe Kukësit, ka sjellë dhe reagimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Nëpërmjet një komunikate për shtyp, qeveria e futbollit në vend theksoi se distancohet nga ky veprim dhe se e dënon me forcë tentativën e bërë në videoskandalin e publikuar.

FSHF theksoi gjithashtu se, Drini Çaushi nuk është pjesë e asnjë klubi shqiptar dhe se ajo është e vendosur në luftën për të mbrojtur pastërtinë e këtij sporti. Në të njëjtën kohë, Federata Shqiptare e Futbollit bëri apel si ndaj futbollistit ashtu dhe klubit ku ai aktivizohet që t’i drejtohen autoriteteve të drejtësisë për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje, që kërkon një zbardhje të menjëhershme.

Pas FSHF-së, reagoi edhe vetë klubi i Kukësit, që në faqen e tij zyrtare konfirmoi se Drini Çaushi nuk ishte pjesë e klubit të Kukësit, por vetëm sa ka bashkëpunuar me të, ashtu siç kanë bërë edhe menaxherët e tjerë të futbollistëve. Në të njëjtën kohë, Kukësi theksoi se dënon me forcë ngjarje të tilla të shëmtuara dhe ata persona që veprojnë në këtë mënyrë për interesa të caktuara, duke përfshirë këtë klub. Kukësi u bëri apel organeve kompetente që të nisin hetimet në lidhje me këtë çështje.

Top Channel