Shumica e re, garanci Ivanovit. LSDM, BDI e Besa: Nuk do të shkelim Kushtetutën

12/05/2017 00:00

Partitë politike, që përbëjnë shumicën e re parlamentare në Maqedoni, janë të gatshme të firmosin një deklaratë ku theksohet se programi qeveritar do të jetë në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Justifikimi më i fundit i presidentit Gjorge Ivanov për zvarritjen e dhënies së mandatit qeveritar ishte pikërisht garancia se, me programin e tyre, forcat e mazhorancës nuk do të shkelin dokumentin themeltar dhe integritetin e Maqedonisë.

LSDM, BDI dhe BESA shprehen tani të gatshme të garantojnë karakterin unitar të kombit, duke qëndruar brenda kornizave kushtetutese. Afati i dorëzimit të mandatit skadon më 19 maj. LSDM-ja vazhdon të mbetet e qëndrimit se qeveria do të krijohet, gjithsesi, dhe në rast refuzimi nga presidenti Ivanov, shumica e re parlamentare do të veprojë ashtu siç bëri për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Në mediet vendase kanë nisur të qarkullojnë informacione të pakonfirmuara zyrtarisht mbi përbërjen e Qeverisë “Zaev”. Sipas tyre, partitë shqiptare mund të marrin Ministrinë e Drejtësisë, Ekonomisë, Shëndetësisë, Shkencës dhe Arsimit, Pushtetin Lokal dhe atë të Kulturës.

Kreu i socialdemokratëve, ndërkohë, u paraqit në Prokurori për të dëshmuar mbi dhunën e 27 prillit në Kuvend. Zaev tha se, 6 deputetë të VMRO-DPMNE-së u hapën dyert agresorëve dhe i drejtuan për në ambientet e Qendrës së Shtypit, ku ndodhej ai me udhëheqësit e tjerë.

Sipas shefit të LSDM-së, i gjithë plani ka qenë i paramenduar. Dy nga ligjvënësit e VMRO-së, – sqaroi ai, – i hoqën derës kryesore shulin e çeliktë, ndërsa 4 të tjerët jepnin udhëzime sesi të kalohej te salla ku ndodheshin deputetët e shumicës parlamentare.

Top Channel