Sqaron shkarkimin e Comey, Trump: Nuk jam nën hetim

12/05/2017 00:00

Donald Trump këmbëngul se nuk është nën hetim nga FBI-ja. Në intervistën e dhënë rrjetit televiziv amerikan “NBC”, shefi i Shtëpisë së Bardhë sqaroi se do ta kishte shkarkuar kreun e Byrosë Federale të Hetimit, James Comey, edhe nëqoftëse zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë nuk do t’ia kishin rekomanduar.

“Ai do që të bjerë në sy. Është shumë pompoz. Kërkon vetëm që të duket. Për shkak të tij, e gjithë FBI-ja ka qenë e përfshirë në amulli”, tha Trump.

Ish-kreu i FBI-së po drejtonte një hetim mbi lidhjet mes zyrtarëve të fushatës zgjedhore të presidentit Trump dhe zyrtarëve rusë, së bashku me ndërhyrjen e mundshme të Moskës në presidencialet e vitit të kaluar.

“E kisha ndërmend ta pushoja vet Comey. Do ta hiqja, pavarësisht rekomandimit të zëvendësprokurorit të Përgjithshëm, Rod Rosenstein”, tha Trump.

“Ish-shefin e FBI-së, Comey, e kam pyetur personalisht nëse jam nën hetim dhe më është përgjigjur ‘Jo’”, vazhdoi Trump.

Verifikimet e FBI-së, presidenti i konsideron një “farsë”, por pretendimet e tij janë kundërshtuar edhe nga drejtuesi i përkohshëm i saj, Andreë McCabe. Shkarkimi i Comey përbën pikën kulmore të një marrëdhënieje të tensionuar njëvjeçare mes tij dhe Donald Trump.

Armiqësia mes tyre nisi që gjatë fushatës, kur shefi i FBI-së refuzoi të ngrinte akuza ndaj rivales së republikanit, Hillary Clinton, për “e-mail”-et e dërguara nga serveri i saj privat gjatë kohës që shërbente si Sekretare Shteti. Manjati u indinjua atëherë, e deklaroi se për cënimin e sigurisë kombëtare, Clinton duhej të ishte futur në burg.

Top Channel