Partizani, barazim “lamtumire” për titullin kampion

11/05/2017 00:00

Partizani ka zhgënjyer me barazimin pa gola të sigluar këtë të enjte në kryeqytet, me kurbinasit e Laçit që nga ana e tyre sigurojnë një pikë me vlera në betejën për të qëndruar në Superirore, edhe pse ndodhet sërish në vendin e parafundit me dy pikë më pak sesa Tirana e Flamurtari, e 3 larg Teutës.

“Demat e kuq” dominuan thuajse të gjithë 90-minutëshin e luajtur në “Selman Stërmasi”, por mungoi pikërisht goli që do të bënte diferencën dhe ngjitjen e skuadrës së drejtuar nga Starova në krye të renditjes. Dy pikët e lëna në sfidën e sotme i distancojnë “të kuqtë” me dy pikë nga verilindorët e Kukësit, teksa zbresin gjithashtu në vendin e tretë, një pikë pas kampionëve në fuqi të Skënderbeut.

Për Partizanin ishin të domosdoshme vetëm 3 pikët në këtë përballje me laçianët, por as Torasa, as Bardhi dhe as Batha nuk mundën të gjenin rrugën e rrjetës gjatë pjesës së parë. Rasti më i artë ishte ai i humbur nga Malota, pas topit të ulur për të nga Vila, por mbrojtësi edhe pse në një distancë thuajse prej 11 metrash, nuk gjeti kuadratin e Laçit. Por edhe kurbinasit nuk ishin inekzistentë, me Sergio Junior që për pak sa nuk shënoi në minutën e 38 përballë Hoxhës.

Edhe pjesa e dytë nisi me Partizanin në sulm, por në minutën e 60, asistin e Ekuban, shkodrani Sukaj nuk e shfrytëzoi siç duhej. “Të kuqtë” rrezikuan edhe me Ramadanin e Trashin, por edhe këta u treguan të pasaktë.

Rasti më i diskutueshëm ishte ai i minutës së 78, teksa me kalimin e minutave ishte rritur ankthi e tensioni jo vetëm për futbollistët, por edhe për tifozët nëpër tribuna. Partizani kërkoi një penallti 12 minuta nga fundi i kohës së rregullt, por gjyqtari nuk e akordoi diçka të tillë. Përpjekja e fundit e dështuar, këtë herë për mungesë të fatit, ishte ajo e Bathës në minutën e 4-t shtesë, kur goditi shtyllën.

Top Channel