Shkaku i shkarkimit të Comey? Refuzimi për të informuar eprorët

11/05/2017 00:00

Irritimi i Donald Trump, që solli edhe shkarkimin e drejtorit të Byrosë Federale të Hetimit, James Comey, ditën e martë, ishte grumbulluar prej muajsh, por momenti vendimtar për të ndërmarrë këtë hap ka qenë pikërisht refuzimi i Comey për të përmbledhur dëshminë e tij të planifikuar përpara panelit të Senatit, përpara ndihmësve më të lartë të presidentit amerikan.

Trump, Jeff Sessions (Prokurori i Përgjithshëm) dhe zv.prokurori i Përgjithshëm, Rod Rosenstein kishin kërkuar një përmbledhje nga Comey se çfarë pritej të thoshte në seancën dëgjimore të 3 majit, mbi mënyrën e menaxhimit të hetimit ndaj ish-kandidates demokrate presidenciale, Hillary Clinton, sa i përket përdorimit të serverit privat të “e-mail”-eve.

Refuzimin e Comey, Trump dhe ndihmësit e tij e konsideruan si një akt mosbindjeje, ndaj dhe ky ishte katalizatori i vendimit të kësaj jave të Trumpit për ta shkarkuar drejtorin e FBI-së, thonë zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë.

“Refuzimi dha përshtypjen se ai nuk ishte më i aftë për të kryer siç duhet detyrat e tij”, tha një zyrtar. Përmbledhjet e dëshmive në Kongres ndaj eprorëve, përgjithësisht konsiderohen si akte mirësjelljeje dhe njerëzore.

Comey, i cili dëshmoi për 4 orë përpara Komitetit të Drejtësisë në Senat, tha se kishte ndierë neveri kur dëgjoi se vendimi i tij për të publikuar rihapjen e hetimit ndaj Clintonit për përdorimin e “e-mail”-eve mund të kishte ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 8 nëntorit. Por, ai tha se nuk ka ndonjë peng dhe se do të bënte sërish të njëjtën gjë nëse koha do të kthehej pas.

Shkarkimi i papritur i Comey nga Trump shokoi Uashingtonin dhe e futi presidentin amerikan më thellë në polemikat mbi lidhjet e pretenduara të fushatës së tij me Rusinë, që kanë përshkruar qysh ditët e para presidencën e tij.

Demokratët e kanë akuzuar presidentin republikan se e shkarkoi Comey në përpjekje për të minuar hetimin e FBI-së ndaj përpjekjeve të dyshuara të Rusisë në zgjedhjet e 2016-s dhe për marrëveshje me pjesëtarë të fushatës së Trumpit, si dhe kërkuan një hetim të pavarur. Edhe disa republikanë e kanë konsideruar si shqetësues shkarkimin e Comey nga presidenti amerikan.

Top Channel