Deportohet 15 herë në 15 vite

11/05/2017 00:00

Policia amerikane në San Diego ndaloi një person për drejtim mjeti në gjendje të dehur, pas një aksidenti, për të zbuluar se ai ishte deportuar nga Shtetet e Bashkuara plot 15 herë.

Constantino Banda Acosta, 38 vjeç, u përplas me mjetin që po drejtonte me një tjetër makinë ku udhëtonte një familje, e më pas tentoi t’ia mbathte nga vendngjarja, por sipas policisë, në gjendjen e dehur që ishte nuk mundi të shkojë larg.

Në aksident mbeti i plagosur një djalë i vogël, por ajo që bëri bujë ishte zbulimi që pasoi kontrollet rutinë të policisë, pas ndalimit të Banda Acosta. Policia zbuloi se ai ishte shtetas meksikan, emigrant i jashtëligjshëm në SHBA dhe ishte deportuar nga autoritetet amerikane 15 herë.

Lajmi u konfirmua edhe nga Agjencia amerikane e Doganave, e cila sqaroi se shtetasi meksikan Constantino Banda Acosta është deportuar në Meksikë 15 herë në po kaq vite, më së fundi në janar 2017.

Agjencia e Doganave tha se, nëse Banda Acosta do të lirohet nga autoritetet lokale, do të arrestohet nga agjentët e saj. Në mediet sociale, rasti u komentua gjerësisht dhe kishte nga ata që e cilësonin Banda Acostën si emigrantin ilegal më të paaftë, që kapet dhe deportohet vit për vit. Por të tjerë i njohën këmbënguljen për t’u rikthyer sërish në vendin e ëndrrave të tij.

Top Channel