SHBA: Kuvendi foli, tani zgjedhjet!

11/05/2017 00:00

“Deutsche Welle” citon Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë të pohojë se, vendi duhet të lëvizë drejt një tranzicioni të qëndrueshëm.

Misioni diplomatik amerikan ishte një prej zërave më të fortë që kërkonin votimin e marrëveshjes së Demarkacionit në Parlament, moskalimi i së cilës u bë edhe shkak për rrëzimin e ekzekutivit aktual.

“Kuvendi e tha fjalën e vet. Përderisa vazhdon procesi i tranzicionit dhe vendi lëviz në drejtim të zgjedhjeve të parakohshme, ftojmë të gjithë zyrtarët e mbetur në qeveri që të zotohen përsëri në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim. Ne vazhdojmë të jemi të palëkundur në mbështetjen tonë për Kosovën, qytetarët e saj dhe rrugëtimit të saj drejt integrimit të plotë euroatlantik”, thuhet në reagimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Komisioni Qendror Zgjedhor, tashmë ka deklaruar se është i gatshëm të organizojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Një ditë më parë, Komisioneri Europian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn nuk e priti mirë rrëzimin e Qeverisë së Kosovës, të drejtuar nga Isa Mustafa, e pas votës së mosbesimit në Parlament u kujtoi udhëheqësve politikë kosovarë sfidat që i presin përpara.

“Më vjen keq për votën e mosbesimit të sotëm (djeshëm) në Parlamentin e Kosovës. Udhëheqësit e politikës dhe institucionet nuk duhet të harrojnë sfidat e mëdha me të cilat Kosova do të përballet”, shkroi ai në “Twitter”.

Top Channel