Nga Olimpico në Cardiff; Rruga e Juves drejt ‘tripletës’

10/05/2017 00:00

Tifozët më optimistë të Juventusit nuk do ta kishin menduar që në sprintin e fotofinishit të këtij sezoni futbollistik, “Zonja e Vjetër” të diskutonte plot 3 trofe.

Në 24 ditët e ardhshme, bardhezinjtë mund të rishkruajnë një pjesë të historisë duke provuar të barazojnë trisin perfekt që Inter materializoi nga 5 deri në 22 Maji i 2010, duke e bërë këtë me 3 trofe.

Në kampionatin italian skuadra e trajnerit Alegri nuk ndalet drejt titullit të gjashtë radhazi e për këtë do të mjaftojë një barazim të dielën në darkë kundër Romës.

Por jo vetëm kaq, adrenalina e juventinëve vazhdon të shtohet nga java në javë, sidomos me ethet e Champions League ku do të diskutojë finalen e 3 qershorit në Cardiff. Mes këtyre sfidave në kalendar një tjetër takim i rëndësishëm si finalja e Kupës së Italisë ndaj Lazios.

Kështu në më pak se një muaj Zonja e Vjetër do të ketë në duar fatin e një misioni që nuk është i pamundur, sidomos kur mendon karakterin dhe qëndrueshmërinë, përveç eksperiencës së madhe. Një pikë të dielën ndaj Romës do t’i garantonte sigurinë matematikore për një titull të merituar, por oreksi i bardhezinjve ka fokusin kryesor te Kupa me veshë të mëdhenj.

Në 3 qershor në stadiumin e Kardifit, luhet dhe një pikëtakim me tifozët supersticiozë. Që nga viti 1989, një skuadër italiane arrin të fitojë Champions çdo 7 vjet. Ndodhi me Milanin, me Interin e të gjithë në Apenine, tani shpresojnë se do të jetë radha e Juventus.

Top Channel