Kukësi mposht Flamurtarin, Tirana rikthehet te fitorja pas 15 javësh

10/05/2017 00:00

Një gol i të përhershmit Pero Pejic i ka dhënë tre pikë mjaft të rëndësishme Kukësit në ndeshjen ndaj Flamurtarit, duke vazhduar garën për titull kampion. Ndërkohë, Tirana rikthehet te fitorja, duke mposhtur Korabin.

Kroati shënoi në minutën e 33 të pjesës së parë një gol me vlerën e tre pikëve në këtë ndeshje. Pavarësisht përpjekjeve të vlonjatëve për të shënuar golin e barazimit, goli i shënuar nga Pejic ishte i vetmi në këtë ndeshje.

Më në fund, Tirana ka arritur të marrë pikë të plota në një ndeshje të Kategorisë Superiore. Pas 15 takimeve pa fitore, bardheblutë kanë arritur të mposhtin Korabin 2-0 në “Selman Stërmasi”.

Ede dhe Taku ishin autorët e dy golave të Tiranës, ndërsa për t’u theksuar është fakti se Korabi i vendit të fundit e mbylli këtë ndeshje me dy lojtarë më pak, pasi Jubani dhe Mziu u ndëshkuan me karton të kuq.

Po në të njëjtën orë me dy takimet e tjera u zhvillua edhe ndeshja Vllaznia-Luftëtari, e cila dhuroi emocione të shumta. Në “Loro Boriçi” u shënuan 4 gola, por nuk pati fitues, pasi ndeshja u mbyll në barazim 2-2.

Vendasit shënuan të parët, por më pranë fitores ishin gjirokastritët, të cilët përmbysën golin e shënuar nga Bakaj me 11-metërsh. Boyom barazoi shifrat, ndërsa Reginaldo kaloi në avantazh Luftëtarin. Ishte minuta e tretë e shtesës dhe gjithçka dukej e mbyllur, por Shtubina shënoi golin e barazimin, duke bërë që dy ekipet të ndanin nga një pikë.

Kukësi udhëheq renditjen e Kategorisë Superiore me 3 pikë më shumë se Partizani dhe 4 nga Skënderbeu. Por korçarët kanë mundësi ta çojnë sërish në 1 pikë diferencën nga Kukësi nëse fitojnë ndaj Teutës në ndeshjen  që nis në orën 18:30 në “Niko Dovana”. Ndërsa Partizani do ta zhvillojë nesër ndeshjen e javës së 33-të duke pritur Laçit.

Top Channel