Planet për Europën, kritika për Emmanuel Macron

10/05/2017 00:00

Tre ditë pas fitores historike të kandidatit liberal, Emmanuel Macron, pritshmëritë janë të larta. Si Brukseli, ashtu dhe Berlini presin reforma, edhe pse janë të ndarë mbi ato që nevojiten më shumë.

Siç pohon “Deutsche Welle”, Macron kërkon ta ndryshojë rrënjësisht politikën europiane të financave, me planet për një ministër Financash të Eurozonës dhe Eurobonde.

Por zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert e bëri të qartë se qeveria e Kancelares Merkel e refuzon kërkesën për eurobondet.

Unioni kristiandemokrat dhe kristiansocial, si edhe partia liberale “FDP” nuk i kanë kursyer kritikat.

“As Franca dhe as Eurozona nuk vuajnë se kanë pak borxhe”, u shpreh Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Financave (CDU), Jens Spahn, për gazetën gjermane “Bild”.

Edhe politikani i CDU-së, njëkohësisht kryetar i Komisionit parlamentar për Europën në “Bundestag”, Gunther Kirschbaum e refuzon “përgjithësimin e borxheve”.

Politikani kristiansocial dhe kreu i grupit parlamentar të Partive Popullore Europiane (EPP), Manfred Weber i tha gazetës “Rheinische Post” se Macron “duhet të shpërthejë njëherë prangat në vendin e tij”, para se të ndërmarrë hapa reformuese në drejtim të Europës.

Gjithashtu, kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker i kërkoi kreut të ri të Elizesë të ndërmarrë reforma buxhetore në vend.

“Me Francën kemi një problem të dukshëm. Francezët shpenzojnë shumë dhe në vendin e gabuar”, ishte komenti  i tij. Juncker i bëri thirrje Macron të ulë shpenzimet e administratës shtetërore.

Top Channel