Kosovë, Thaçi shpërndan Parlamentin

10/05/2017 00:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shpërndau Parlamentin menjëherë pas rrëzimit të Qeverisë me 78 vota pro, 34 kundër dhe 3 abstenime.

Deputetët e Kosovës votuan pro mocionit të mosbesimit të dorëzuar në Kuvend me firmat e opozitës.  Por ishin votat e aleatit qeveritar të kryeministrit Isa Mustafa, ato që e rrëzuan qeverinë e tij, një produkt i krizës së gjatë paszgjedhore që përjetoi Kosova në vitin 2014.

Vendimi ishte marrë në një mbledhje kryesie gjatë paradites, por seanca zgjati disa orë, kohë në të cilën deputetë të pozitës dhe opozitës mbajtën  fjalimet, që kishin një të përbashkët: ka ardhur koha që  qeveria të bjerë.

Në mocionin e opozitës thuhej se, kjo qeveri ka dështuar në të gjitha planet dhe programet e saj, e si pasojë e kësaj qeverisje, vendi është në krizë politike. Mosfunksionimi i brendshëm, sipas opozitës, reflektohej në Parlament, ku jo pak herë nuk ka arritur që të ketë kuorum as për votimin e ligjeve të sponsorizuara nga vet qeveria.

E vetmja zgjidhje për të dalë vendi nga kjo situatë janë zgjedhjet e lira dhe demokratike, thuhej në tekstin e mocionit. Edhe pse e quajti një pamflet pa argumente politike, Mustafa, në fjalimin e fundit para Kuvendit tha se ky është një skenar për të destabilizuar Kosovën, duke krijuar boshllëk institucional.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel