Trendi i investimeve te diamantët

10/05/2017 00:00

Në botën e supermiliarderëve, investimi te diamantet me ngjyrë po kthehet në trend, e këtë vit, asete të tilla të vyera kanë thyer rekorde nëpër ankande.

Menaxheri i argjendarisë së famshme “77 Diamonds”, e cila ka një dyqan në lagjen elitare “Mayfair” të Londrës, por shet edhe “online”, thotë se preferenca për gurë të tillë ka nisur të shtohet ndjeshëm me daljen e botës nga kriza financiare.

Por edhe pse diamantët e kuq e ata portokalli janë më të vështirë për t’u gjetur, preferenca e qartë e blerësve mbeten gurët e çmuar të këtij lloji, në ngjyrën rozë.

“E kuqja është ngjyra më e rrallë këtu. Pas saj vjen jeshilja, bluja dhe e portokallta, por këto 10 vitet e fundit roza ia ka zënë ngadalë vendin edhe blusë për nga niveli i kërkesave. Pati një ankand tani vonë, ku diamanti ‘Oppenheimer Blue’ theu rekordin me 57.5 milionë dollarë, ama nuk kaloi shumë dhe çmimin e shitjes së tij e kapërceu ‘Pink Star’ me 71 milionë dollarë”, tha Tobias Kormind, menaxher i “77 Diamonds”.

Fenomeni natyral i ngjyrimit të diamanteve i detyrohet një strukture të veçantë kristalore, që krijohet për shkak të presionit të madh nën koren e Tokës, i cili e përthyen dritën duke çuar kështu në krijimin e gurëve me ngjyrë, në vend që ato të jenë të bardhë.

Nisur pikërisht nga kjo strukturë e tyre, diamantët mund të jenë blu, të verdhë ose të portokalltë, të kuq e rozë, por ky i fundit është sa i rrallë, aq edhe tejet i vlerësuar estetikisht nga koleksionuesit. Burimi kryesor që furnizon gati 90% të diamanteve rozë në mbarë globin, sot është miniera “Argyle” e Rio Tinto’s në perëndim të Australisë, e cila funksionon që prej vitit 1983, gjë që do të thotë se rezervat e saj po shterojnë. Drejtuesit e minierës thonë se ajo duhet të mbyllet në vitin 2021.

Top Channel