Vinicius, “telenovelë” gjyqësore te Reali i Madridit

10/05/2017 00:00

Blerja e Vinicius nga Reali i Madridit mund të shndërrohet në një telenovelë me karakter gjyqësor. Klubi madrilen pranoi të paguajë 61 milionë euro për futbollistin 16-vejçar, që vetëm një ditë më parë u bë pjesë e skuadrës së parë të Flamengos.

Sipas asaj që publikohet tek e përditshmja “AS”, pika e konfliktit është shuma që Reali ka pranuar t’i paguajë Flamengos për kartonin e futbollistit.

Kompania “Time Forte Eventos”, që administron akademinë e klubit brazilian, ka të drejtë të përfitojë 10% nga vlera e shitjes së çdo futbollisti që është nën moshën 23 vjeç dhe që ka qenë pjesë e akademisë së Flamengos.

Duke u bazuar te kjo e dhënë, rezulton se kësaj kompanie duhet t’i jepen 4.5 milionë euro nga 45 milionët që u dhanë për kartonin e futbollistit, ndërkohë që pjesa e mbetur prej 16 milionësh është dhënë në formën e komisioneve.

Bashkëpunimi mes Flamengos dhe “Time Forte Eventos” ka nisur prej 15 vitesh, duke u rinovuar në 2011-n. Vinicius ka qenë pjesë e akademisë së kësaj skuadre dhe kompania tashmë ka kërkuar detajet e këtij operacioni për të mësuar shifrën financiare që i takon të arkëtojë.

Drejtuesit e Flamengos nuk i kanë dhënë asnjë përgjigje, pasi sipas “AS”, shpresojnë që të gjejnë një hapësirë ligjiore në kontratë që t’u lejojë evitimin e pagesës së kësaj shume.

Top Channel