Irlandë, policia braktis hetimin për blasfemi ndaj komedianit britanik

09/05/2017 00:00

Policia në Irlandë lajmëroi se nuk po heton më pretendimet se komediani britanik, Stephen Fry bëri komente blasfemike gjatë një shfaqjeje televizive.

Sipas medieve britanike, policia e ndërpreu hetimin, pasi nuk kishte asnjë palë të prekur. Mësohet se një teleshikues u ankua pranë policisë për komentet e Fry në vitin 2015 në televizion.

Mes të tjerave, Stephen Fry pyeti pse duhej të respektonte një zot kapriçoz, të lig dhe budalla, që krijon një botë plot me padrejtësi.

Lajmi për hetimin e Fry për blasfemi shkaktoi mjaft debat dhe videoja e intervistës së Fry u pa më shumë se 7 milionë herë në “Youtube”. Në vitin 2009, në Irlandë u miratua një ligj kontradiktor kundër blasfemisë dhe dënimi maksimal është 25 mijë euro.

Vetë Fry i trajtoi me ironi lajmet për hetimin dhe tha se nuk shqetësohej për gjëra të tilla. Komentet e tij u bënë gjatë shfaqjes “Kuptimi i jetës” dhe, kur u pyet se çfarë do t’i thotë Zotit në dyert e parajsës, Fry tha se do t’i kërkonte llogari.

Megjithëse nuk ka raporte për ndonjë irlandez të dënuar nga ligji i blasfemisë, qeveria irlandeze në vitin 2009 tha se ligji duhej, pasi Kushtetuta e vitit 1937 i jepte vetëm të krishterëve mbrojtje ligjore për besimin e tyre.

Top Channel