SHBA do të armatosë kurdët në Siri. Turqia në ankth

09/05/2017 00:00

Presidenti amerikan Donald Trump ka miratuar furnizimin me armë të forcave kurde që luftojnë Shtetin Islamik në Siri.

Lajmi njoftohet nga vet Pentagoni, një zëdhënëse e të cilit tha se elementët kurdë të Forcave Demokratike Siriane (SDF) do të pajisen me armë për të ndihmuar në zmbrapsjen e militantëve xhihadistë nga bastioni i tyre, Raqqa.

Por zëdhënësja shton edhe diçka të rëndësishme. “Shtetet e Bashkuara janë shumë të vetëdijshme” në lidhje me shqetësimet e Turqisë pas kësaj lëvizjeje.

Turqia në fakt i konsideron rebelët kurdë si terroristë dhe kërkon t’i ndalë ata të rrëmbejnë më shumë territore në Siri. “SDF”-ja, ku bëjnë pjesë milici kurde dhe arabe, mbështetet nga forcat elitare amerikane dhe nga sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Grupi në fjalë është duke luftuar Shtetin Islamik për kontrollin e qytetit Tabqa, një qendër komandimi e xhihadistëve rreth 50 km larg bastionit Raqqa.

Një burim i Pentagonit tha për “BBC” se armatosja do të përfshijë municione, armë të lehta, automatikë, mitralozë, si dhe pajisje si buldozerët apo autoblinda. I njëjti burim shtoi se Shtetet e Bashkuara do të tentojnë “rikuperimin” e këtyre armatimeve pas përfundimit të fushatës.

Megjithatë, ende nuk është publikuar korniza kohore se kur do të nisë armatosja e forcave kurde.

“Jemi tejet të vetëdijshëm për shqetësimet e sigurisë të partnerit tonë në koalicion, Turqisë”, tha zëdhënësja e Pentagonit, Dana White, e cila ndodhet për një udhëtim zyrtar me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, në Lituani. “Duam të sigurojmë popullin dhe qeverinë turke se, Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara që të parandalojnë rreziqe të mëtejshme të sigurisë për aleatin tonë në NATO”.

Turqia i konsideron kurdët sirianë si zgjatim i grupit separatist të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) brenda vendit, grup që është përcaktuar zyrtarisht edhe si organizatë terroriste.

Top Channel