Kina zotohet të mbrojë paktin e Parisit për klimën

09/05/2017 00:00

Presidenti kinez Xi Jingping u zotua se do të mbrojë marrëveshjen e rëndësishme të Parisit, e cila synon që të pakësojë ndryshimet klimatike dhe prodhimin e gazrave, si pasojë e djegies së karburanteve fosile.

Ministria e Jashtme kineze tha se, Xi e bëri këtë premtim gjatë një telefonate me presidentin e zgjedhur të Francës, Emannuel Macron. Zotimi i Xi, udhëheqësi i ndotësit më të madh në botë, padyshim që ka shumë rëndësi, ndërsa homologu i tij amerikan, Donald Trump, ende po shqyrton nëse do të tërheqë Shtetet e Bashkuara nga pakti i Parisit, siç premtoi në fushatë.

Mediet amerikane raportojnë se mbledhja në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar këtë çështje u shty për shkak të mosmarrëveshjeve mes këshilltarëve të Trumpit. Ekspertët thonë se, tërheqja e SHBA-ve nga marrëveshja globale për klimën do të shkaktonte kaos, prandaj konfirmimi i angazhimit kinez shihet si një shtytje e fortë për paktin.

Presidenti kinez, gjatë bisedës me homologun e tij të ardhshëm francez, Macron, tha se Kina dhe Franca duhet të mbrojnë arritjet e planetit, përfshirë marrëveshjen e Parisit. Thuasje 200 vende e kanë mbështetur këtë pakt, që synon të mbajë rritjen e temperaturave globale nën 2 gradë.

Marrëveshja ka gjithashtu si qëllim që ta largojë ekonominë globale nga karburantet fosile, në përpjekje për të kufizuar ngrohjen globale dhe fenomenet negative që vijnë me të.

Top Channel