Ekuacioni i vështirë i “Superiores”, në pritje të verdikteve për kreun e fundin

09/05/2017 00:00

Kukësi i Ernest Gjokës ështe skuadra ende për t’u thyer e Kategorisë Superiore, pas 32 javëve të zhvilluara deri më tani, e të mërkurën e 10 majit do të luajë përballë Flamurtarit në fushën e tyre.

Nga 16 ndeshjet e luajtura në Kukës, vendasit kanë 13 fitore dhe kanë barazuar vetëm 3, ndërkohë që Flamurtari numëron 10 humbje, në 16 ndeshjet e zhvilluara në trasnfertë. Mbyllja e sezonit me pikë të barabarta si me Partizanin, ashtu dhe me Skënderbeun, i shpall ata kampionë, pasi kanë fituar duelet e drejtpërdrejta.

Skuadra e dytë me më shumë mundësi për të fituar titullin, edhe pse me një pikë prapa kryesuesve është Skënderbeu. Kampionët korçarë i kanë në duart e tyre të dy rivalët, si Kukësin, ashtu edhe Partizanin, me të cilët do të përballen në dy javët e fundit. Por përpara se të shkojë deri atje, do t’i duhet të kalojë Teutën ditën e mërkurë, me të cilën ka barazuar 3 ndeshjet e tri fazave të mëparshme të këtij sezoni.

Ndërkohë që Partizani, në barazimin 1-1 me Kukësin një javë më parë, ka humbur mundësinë e artë që të kishte gjithçka në dorën e tij për titullin, tek i cili pret të rikthehet pas 24 vitesh.

“Të kuqtë” do të presin ditën e enjte Laçin, që e kanë mundur 3 herë këtë sezon, por fitorja e fundit ndaj Luftëtarit e ka bërë skuadrën e Stavri Nicës të mos dorëzohet ende për të rënë nga kategoria, sepse Tirana është aty me 32 pikë, po aq sa edhe ata, dhe me një gjendje krize që e ndihmon vetëm përballja e radhës ditën e mërkurë, me Korabin e rënë nga kategoria, për të marrë një 3-pikësh që në Superiore nuk e sheh prej 15 ndeshjesh.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel