Europa League, Man. United me sytë nga finalja e turneut

09/05/2017 00:00

Do të luajë ndaj Celta Vigos të enjten në mbrëmje, por më shumë sesa për ekipin spanjoll, Manchester United po mendon se kë do të ketë përballë në finalen e madhe të Europa League.

“Djajtë e kuq” fituan 1-0 në Spanjë në përballjen e parë dhe në këtë ndeshje kthimi duket se vetëm një mrekulli mund të devijojë rrugëtimin e anglezëve drejt ndeshjes së fundit të një turneu, që mund t’i sjellë titullin prestigjioz dhe kualifikimin në Champions.

Të dielën në disfatën ndaj Arsenalit, trajneri Jose Mourinho arriti të kishte në dispozicion Phil Jones, Chris Smalling dhe Juan Manuel Mata. Por këtë radhë ndaj Celta Vigos do të mungojnë plot 5 futbollistë. Tekniku portugez do të shpresojë në një formë të mirë të Eric Bailly, Daley Blind dhe Pogba, që rikthehen në fushë, ndërsa në portë Sergio Romero do të marrë vendin e zakonshëm që i rezervon vetëm kompeticioni kontinental.

Por si paraqiten dy gjysmëfinalistët e Europa League para 90-minutëshit të së enjtes në “teatrin e ëndrrave?

Të dielën, Manchester United i dha fund serisë pozitive prej 25 ndeshjesh pa humbje, por në Europë vazhdon të jetë krenar. Të gjashta përballjet e zhvilluara në “Old Trafford” këtë edicion të Europa League kanë përfunduar me suksesin e vendasve. Ndërkohë, Celta Vigo ka humbur 4 përballjet e fundit në kampionatin spanjoll, por edhe pse në disavantazh, synon të marrë finalen e parë të një turneu kontinental.

Finalisti tjetër do të dalë nga përballja mes Lyon dhe Ajax, me holandezët thuajse me një këmbë në fund të turneut, pas suksesit të merituar 4-1 para një jave.

Top Channel