Huazohet nga Bologna, Xhemaili kalon te Montreal Impact

09/05/2017 00:00

Mesfushori me origjinë shqiptare Blerim (Dzemaili) Xhemaili vendos të braktisë një nga kampionatet më të bukura të planetit, për të provuar një aventurë të re në Kanada.

Futbollisti, i lindur në Tetovë nga prindër shqiptarë, u bë lojtari më i ri i skuadrës së Montreal Impact, fanellën e të cilit do të mbrojë pas akordit të huazimit, që me gjasë do të bëhet përfundimtar pas 6 muajsh.

Xhemaili do të zërë vend në listën e lojtarëve të dizenjuar të Montrealit, një rregull i veçantë për lojtarë që paguhen pjesërisht nga Liga amerikane e Futbollit dhe pjesërisht nga klubi që luan.

Futbollisti largohet nga Bologna për t’u aktivizuar në Kanada, atje ku mund të bëjë shpejt debutimin, nëse burokracitë e lejes së punës nuk do t’i shtyjnë impenjimin në fushë.

31-vjeçari ka luajtur thuajse të gjithë karrierën në Itali dhe në Zvicër, me ekipe të njohura si Torino, Parma apo Napoli. Ai ka fituar dy Kupa italie, dy tituj kampion në Zvicër, dy kupa në vendin helvet, si dhe një titull dhe një kupë në Turqi.

Top Channel