Dick Advokaat, trajneri i rikthyer i Holandës

09/05/2017 00:00

Federata holandeze e Futbollit zgjedh më në fund trajnerin e skuadrës përfaqësuese. Bëhet fjalë për Dick Advokaat, i cili do të zëvendësojë Danny Blind, teknikun që u shkarkua në muajin mars pas humbjes me Bullgarinë në kualifikueset e Botërorit të vitit 2018.

Qeveria e futbollit në Holandë konfirmoi se Advokaat ka nënshkruar një kontratë, që e mban atë në këtë detyrë deri në përfundim të fazës kualifikuese dhe ajo mund të rinovohet, nëse ai do të jetë në gjendje që ta kualifikojë skuadrën e “tulipanëve” në Kupën e Botës, kompeticion që do të zhvillohet në Rusi.

Në të njëjtën kohë, Federata holandeze njofton se asistenti i Advokaat do të jetë Ruud Gullit. Advokaatin e pret një detyrë e vështirë në këto kualifikuese, pasi Holanda renditet në vendin e katërt të Grupit A me 7 pikë të grumbulluara në 5 ndeshje, 6 më pak sesa Franca kryesuese.

Kjo do të jetë hera e tretë që Dick Advokaat do të drejtojë përfaqësuesen e Holandës. Më parë ai ka qenë në pankinën e “Portokallinjve” në periudhën 1992-1994, duke i drejtuar deri në çerekfinalet e Botërorit të luajtur në SHBA, si dhe në periudhën 2002-2004, duke e çuar Holandën në gjysmëfinalet e Europianit të Portugalisë.

Top Channel