NBA, Golden State siguron finalen e Perëndimit

09/05/2017 00:00

Golden State nuk përmbahet në NBA. Skuadra e Warriors përsëriti shembullin e Cleveland dhe pret biletën për në finalen e Konferencës së Perëndimit pasi fitoi edhe ndeshjen e katërt me Utah Jazz 121-95 për të mbyllur serinë e përballjeve me të 4-0 duke ruajtur pathyeshmërinë në fazën e play off-it.

Ashtu sikurse edhe në 3 ndeshjet e para, edhe këtë radhë Golden State ishte dominues kundrejt kundërshtarit të tij. Utah Jazz që nuk kishte në dispozicion George Hill, e pati të pamundur t’i kundërpërgjigjej skuadrës së Warriors e cila u duk se e arkivoi këtë fitore që në periodën e parë të cilën e mbylli 39-17.

Por Utah u përpoq që të reagonte dhe të shkurtonte diferencën dhe pati disa momente kur mund të shpresonte.

Por Golden State i fashiti shpejt këto shpresa duke rivendosur diktatin e tij në parket  kjo falë edhe Stephen Curry e Draymond Green të cilët e mbyllën ndeshjen respektivisht me 30 dhe 17 pikë. Në krahun tjetër për Utah nuk mjaftuan 25 pikët e Hayward dhe 12 pikët e 13 topat në tabelë të Gobert për të kaluar Golden State dhe për të zgjatur serinë e gjysmëfinaleve.

Tani Golden State pret i qetë kundërshtarin e tij që do të dalë nga derbi teksan mes San Antonios dhe Houstonit të mbërthyer në barazimin 2-2.

Top Channel